Dhjata e Re

Gjoni 14:15-26 Së Bashku (ALNT)

15. «Nëse më doni, do të zbatoni urdhërimet e mia.

16. Unë do t’i kërkoj Atit t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju,

17. Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon dhe nuk e njeh. Ju e njihni, sepse qëndron pranë jush dhe do të jetë në ju.

18. Nuk do t’ju lë jetimë. Do të vij te ju.

19. Edhe pak e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni. Ju do të jetoni sepse jetoj unë.

20. Atë ditë ju do të kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua dhe unë në ju.

21. Kush i ka urdhërimet e mia dhe i zbaton ato, ai më do. Atë që më do mua, do ta dojë Ati im. Edhe unë do ta dua dhe do t’i shfaqem».

22. Juda, jo Iskarioti, i tha: «Zot, përse do të na shfaqesh neve e jo botës?»

23. Jezui i tha:«Kush më do mua do të zbatojë fjalën time. Ati im do ta dojë dhe unë e Ati do të vijmë dhe do të banojmë tek ai.

24. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia. Fjala që dëgjoni nuk është e imja, por e Atit që më dërgoi.

25. Këto gjëra jua thashë sa jam ende me ju.

26. Ngushëlluesi, Shpirti i Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’ju mësojë gjithçka dhe do t’ju kujtojë gjithçka që ju thashë.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 14