Dhjata e Re

Gjoni 14:1-19 Së Bashku (ALNT)

1. «Le të mos ju tronditet zemra! Besoni në Perëndinë, besoni edhe në mua!

2. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, përndryshe nuk do t’ju thosha se po shkoj t’ju bëj gati vendin.

3. Kur të shkoj dhe t’ju bëj gati vendin do të kthehem përsëri dhe do t’ju marr pranë vetes, që edhe ju të jeni atje ku jam unë.

4. Ju e dini udhën për atje ku po shkoj unë».

5. Thomai i tha: «Zot, ne nuk e dimë ku po shkon, si mund ta dimë udhën?».

6. Jezui i tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk shkon tek Ati veçse nëpërmjet meje.

7. Nëse më keni njohur mua do të njihni edhe Atin tim. Madje, që tani e njihni dhe e keni parë».

8. Filipi i tha: «Zot, na trego Atin dhe kjo na mjafton».

9. Jezui i tha:«Ka kaq kohë që jam me ju dhe nuk më ke njohur, Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin. Si mund të thuash: “Na trego Atin”?

10. Nuk beson ti se unë jam në Atin dhe Ati është në mua? Fjalët që ju them nuk i them nga vetja, por Ati që banon në mua i bën këto vepra.

11. Më besoni, unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Në mos, besoni për shkak të vetë veprave.

12. Me të vërtetë po ju them se kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë, madje do të bëjë vepra edhe më të mëdha, sepse unë po shkoj tek Ati.

13. Unë do të bëj çdo gjë që do të kërkoni në emrin tim, që Ati të përlëvdohet në Birin.

14. Çfarëdo që të më kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj.»

15. «Nëse më doni, do të zbatoni urdhërimet e mia.

16. Unë do t’i kërkoj Atit t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju,

17. Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon dhe nuk e njeh. Ju e njihni, sepse qëndron pranë jush dhe do të jetë në ju.

18. Nuk do t’ju lë jetimë. Do të vij te ju.

19. Edhe pak e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni. Ju do të jetoni sepse jetoj unë.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 14