Dhjata e Re

Gjoni 14:1-11 Së Bashku (ALNT)

1. «Le të mos ju tronditet zemra! Besoni në Perëndinë, besoni edhe në mua!

2. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, përndryshe nuk do t’ju thosha se po shkoj t’ju bëj gati vendin.

3. Kur të shkoj dhe t’ju bëj gati vendin do të kthehem përsëri dhe do t’ju marr pranë vetes, që edhe ju të jeni atje ku jam unë.

4. Ju e dini udhën për atje ku po shkoj unë».

5. Thomai i tha: «Zot, ne nuk e dimë ku po shkon, si mund ta dimë udhën?».

6. Jezui i tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk shkon tek Ati veçse nëpërmjet meje.

7. Nëse më keni njohur mua do të njihni edhe Atin tim. Madje, që tani e njihni dhe e keni parë».

8. Filipi i tha: «Zot, na trego Atin dhe kjo na mjafton».

9. Jezui i tha:«Ka kaq kohë që jam me ju dhe nuk më ke njohur, Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin. Si mund të thuash: “Na trego Atin”?

10. Nuk beson ti se unë jam në Atin dhe Ati është në mua? Fjalët që ju them nuk i them nga vetja, por Ati që banon në mua i bën këto vepra.

11. Më besoni, unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Në mos, besoni për shkak të vetë veprave.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 14