Dhjata e Re

Gjoni 11:4-21 Së Bashku (ALNT)

4. Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë dhe që të përlëvdohet nëpërmjet saj Biri i Perëndisë».

5. Jezui i donte shumë Martën, motrën e saj Marinë dhe Lazarin.

6. Kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, qëndroi edhe dy ditë atje ku ishte

7. dhe pastaj u tha dishepujve: «Le të kthehemi përsëri në Jude!».

8. Dishepujt i thanë: «Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti do që të shkosh përsëri atje?».

9. Jezui u përgjigj: «A nuk ka dita dymbëdhjetë orë? Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote.

10. Por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse në të nuk ka dritë».

11. Pasi u tha këto, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka fjetur, por po shkoj ta zgjoj».

12. Dishepujt i thanë: «Zot, nëse ka fjetur do të shpëtojë».

13. Por Jezui u kishte folur për vdekjen e Lazarit, ndërsa ata pandehën se ai u kishte folur për gjumin e zakonshëm.

14. Atëherë Jezui u tha hapur: «Lazari ka vdekur.

15. Gëzohem që nuk ndodhesha atje, në mënyrë që ju të besoni. Le të shkojmë tek ai!».

16. Atëherë Thomai, i quajtur Binjak, u tha dishepujve të tjerë: «Të shkojmë edhe ne të vdesim me të!».

17. Kur erdhi Jezui, Lazari kishte katër ditë që ishte në varr.

18. Betania ndodhej rreth tri kilometra larg Jerusalemit

19. dhe shumë judenj kishin shkuar te Marta dhe Maria, që t’i ngushëllonin për vdekjen e vëllait.

20. Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta shkoi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi.

21. Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 11