4. Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë dhe që të përlëvdohet nëpërmjet saj Biri i Perëndisë».
5. Jezui i donte shumë Martën, motrën e saj Marinë dhe Lazarin.
6. Kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, qëndroi edhe dy ditë atje ku ishte
7. dhe pastaj u tha dishepujve: «Le të kthehemi përsëri në Jude!».
8. Dishepujt i thanë: «Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti do që të shkosh përsëri atje?».
9. Jezui u përgjigj: «A nuk ka dita dymbëdhjetë orë? Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote.
10. Por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse në të nuk ka dritë».
11. Pasi u tha këto, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka fjetur, por po shkoj ta zgjoj».
12. Dishepujt i thanë: «Zot, nëse ka fjetur do të shpëtojë».
13. Por Jezui u kishte folur për vdekjen e Lazarit, ndërsa ata pandehën se ai u kishte folur për gjumin e zakonshëm.