Dhjata e Re

Gjoni 11:39-55 Së Bashku (ALNT)

39. Jezui tha: «Hiqeni gurin!». Marta, motra e të vdekurit, i tha: «Zot, ai qelbet tashmë, se ka katër ditë në varr».

40. Jezui i tha: «A nuk të thashë se po të besosh do të shohësh lavdinë e Perëndisë?».

41. Atëherë ata ngritën gurin, ndërsa Jezui ngriti sytë lart dhe tha: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjove.

42. Unë e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por e thashë për turmën përreth, që të besojnë se ti më dërgove».

43. Pasi tha këto, thirri me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!».

44. I vdekuri doli me këmbë e duar të lidhura me rripa pëlhure, ndërsa fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë.Jezui u tha: «Zgjidheni e lëreni të shkojë!».

45. Shumë nga judenjtë që kishin ardhur te Maria, kur panë ato që bëri Jezui, besuan në të,

46. por disa prej tyre shkuan te farisenjtë dhe u treguan çfarë kishte bërë Jezui.

47. Atëherë kryepriftërinjtë dhe farisenjtë mblodhën këshillin dhe thanë: «Çfarë të bëjmë? Ky njeri po bën kaq shumë mrekulli!

48. Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të e atëherë do të vijnë romakët dhe do të rrënojnë tempullin dhe kombin tonë».

49. Njëri prej tyre, Kajafa, që ishte kryeprifti atë vit, u tha: «Ju nuk kuptoni asgjë.

50. A nuk e kuptoni se për ju është më mirë të vdesë një njeri për popullin sesa të shkatërrohet gjithë kombi?».

51. Këtë nuk e tha nga vetja, por, meqenëse ishte kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezui do të vdiste për kombin.

52. Dhe jo vetëm për kombin, por edhe për të mbledhur e për të bërë një bijtë e shpërndarë të Perëndisë.

53. Që nga ajo ditë ata vendosën ta vrasin.

54. Prandaj Jezui nuk ecte më haptas mes judenjve, por shkoi në një vend pranë shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim dhe ndenji atje me dishepujt.

55. Po afrohej Pashka e judenjve dhe shumë njerëz nga i gjithë vendi shkuan në Jerusalem, përpara Pashkës, për ritin e pastrimit.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 11