Dhjata e Re

Gjoni 11:20-38 Së Bashku (ALNT)

20. Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta shkoi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi.

21. Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.

22. Por e di se, edhe tani, Perëndia do të të japë gjithçka që do t’i kërkosh».

23. Jezui i tha: «Yt vëlla do të ngjallet».

24. Marta i tha: «E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit».

25. Jezui i tha: «Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në mua do të jetojë, edhe nëse vdes.

26. Kushdo që jeton dhe beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson këtë?».

27. Ajo i tha: «Po, Zot. Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë».

28. Pasi tha këto, ajo shkoi, thirri mënjanë Marinë, motrën e saj, dhe i tha: «Mësuesi është këtu dhe të kërkon».

29. Maria, sapo e dëgjoi, u ngrit me nxitim dhe shkoi tek ai,

30. sepse Jezui nuk kishte arritur ende në fshat, por po rrinte atje ku e kishte takuar Marta.

31. Judenjtë që ishin me Marinë në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se ajo u ngrit me nxitim dhe doli, i shkuan pas duke menduar se po shkonte te varri për të qarë atje.

32. Maria shkoi atje ku ishte Jezui dhe kur e pa, i ra ndër këmbë e i tha: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur».

33. Jezui, kur e pa se ajo dhe judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u prek në shpirt, u turbullua

34. dhe tha: «Ku e keni vënë?».Ata i thanë: «Zot, eja dhe shih!».

35. Jezui u përlot.

36. Atëherë judenjtë thanë: «Shih sa e donte!».

37. Por disa nga ata thoshin: «Ky që hapi sytë e të verbërit, a nuk mund të bënte që edhe Lazari të mos vdiste?».

38. Jezui u prek përsëri në shpirt dhe shkoi te varri, që ishte një shpellë me një gur në hyrje.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 11