Dhjata e Re

Gjoni 10:6-19 Së Bashku (ALNT)

6. Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli.

7. Jezui u tha përsëri:«Me të vërtetë po ju them: Unë jam dera e deleve.

8. Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës dhe kusarë, por delet nuk i dëgjuan.

9. Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullotë.

10. Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë dhe ta kenë të plotë.

11. Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet.

12. Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari dhe nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet dhe ikën. Ujku i rrëmben ato dhe i shpërndan,

13. sepse rrogëtari është rrogëtar dhe nuk shqetësohet për delet.

14. Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,

15. ashtu si Ati më njeh mua edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet.

16. Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t’i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari.

17. Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri.

18. Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap dhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im».

19. Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 10