Dhjata e Re

Galatasve 3:7-21 Së Bashku (ALNT)

7. Dijeni, pra, se ata që besojnë janë bijtë e Abrahamit.

8. Prandaj Shkrimi i shenjtë, duke paraparë se Perëndia do t’i bënte të drejtë kombet pagane përmes besimit, i dha Abrahamit që përpara lajmin e mirë: Gjithë kombet do të bekohen në ty.

9. Kështu, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me besimtarin Abraham.

10. Ata që mbështeten në veprat që kërkon ligji i Moisiut janë nën mallkim, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Qoftë mallkuar kushdo që nuk vazhdon të bëjë gjithçka që është shkruar në librin e Ligjit.

11. Është e qartë që askush nuk bëhet i drejtë para Perëndisë me anë të ligjit të Moisiut, sepse i drejti do të jetojë prej besimit.

12. Ligji i Moisiut nuk lidhet me besimin, por kush i zbaton urdhërimet e tij do të jetojë prej tyre.

13. Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit të Moisiut duke u bërë vetë mallkim për ne, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: I mallkuar është cilido që varet në dru.

14. Kështu që bekimi i Abrahamit t’u vijë kombeve pagane me anë të Krishtit Jezu dhe premtimin e Shpirtit të Shenjtë ta marrim përmes besimit.

15. O vëllezër, po ju flas si njeri. Asnjeri nuk e hedh poshtë e as nuk i shton gjë një testamenti njerëzor pasi ky të jetë vulosur.

16. Tani, premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhësit të tij. Shkrimi i shenjtë nuk thotë: «Edhe pasardhësve» si për shumë të tillë, po për një të vetëm: «Dhe pasardhësit tënd», që është Krishti.

17. Ja çfarë po them: ligji i Moisiut, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më vonë, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e bërë më parë nga Perëndia e as premtimin.

18. Pra, në qoftë se trashëgimia do të ishte prej ligjit të Moisiut, atëherë nuk do të ishte më nga premtimi. Por Perëndia ia dhuroi atë Abrahamit me anë të premtimit.

19. Atëherë, pse u dha ligji i Moisiut? Ai u shtua për shkak të paudhësive, derisa të vinte pasardhësi të cilit iu bë premtimi. Ligji i Moisiut u shpall prej engjëjve nëpërmjet një ndërmjetësi.

20. Por nuk mund të ketë ndërmjetës për një palë të vetme dhe Perëndia është një i vetëm.

21. A është, pra, ligji i Moisiut kundër premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Se, po të ishte dhënë një ligj që do të mund të jepte jetë, atëherë njeriu do të bëhej me të vërtet i drejtë nga ligji i Moisiut.

Lexoni kapitullin e plotë Galatasve 3