kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4

Dhjata e Re

Filipianëve 4 Së Bashku (ALNT)

1. Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, që ju kujtoj me mall dhe që jeni gëzimi dhe kurora ime, qëndroni të fortë në Zotin, o fort të dashur.

Porosi të ndryshme

2. I bëj thirrje Evodisë dhe Sintikës të jenë të një mendje me njëra-tjetrën sipas vullnetit të Zotit.

3. Të lutem edhe ty, o miku im i vërtetë, t’i ndihmosh ato, se kanë luftuar krah meje për ungjillin së bashku me Klementin dhe bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.

4. Gëzohuni gjithnjë në Zotin. Përsëri po ju them: gëzohuni!

5. Zemërbutësia juaj le t’u bëhet e njohur të gjithë njerëzve. Zoti është afër.

6. Mos u shqetësoni për asgjë, po për çdo gjë drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë me lutje, me përgjërime dhe me falënderime.

7. Paqja e Perëndisë, që shkon përtej zgjuarsisë së mendjes njerëzore, do të ruajë zemrat dhe mendimet tuaja, që të jenë pranë Krishtit Jezu.

8. Së fundi, vëllezër, kini në mendje të gjitha ato që janë të vërteta, të gjitha ato që janë të ndershme, të gjitha ato që janë të drejta, të gjitha ato që janë të dëlira, të gjitha ato që janë të dashura, të gjitha ato që kanë emër të mirë, të gjitha ato që janë të virtytshme dhe të gjitha ato që janë të denja për t’u lavdëruar.

9. Bëni të gjitha ato që keni mësuar e keni marrë prej meje dhe që keni dëgjuar e keni parë në mua. Perëndia i paqes do të jetë me ju.

Mirënjohje për dhuratën

10. U gëzova shumë në Zotin që tani më në fund e rigjallëruat përkujdesjen tuaj për mua. Në të vërtetë ju e kishit në mendje, por nuk ju ishte dhënë rasti ta tregonit.

11. Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë kam mësuar të jem i kënaqur në çdo rrethanë.

12. Unë e di çfarë do të thotë të jesh në nevojë dhe e di çfarë do të thotë të kesh me tepri. Në çdo rrethanë e në çdo gjë jam mësuar edhe të jem i ngopur, edhe të kem uri; edhe të kem me tepri, edhe të jem në nevojë.

13. Unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon.

14. Megjithatë, ju bëtë mirë që m’u gjendët pranë në vështirësitë e mia.

15. Ju, o filipianë, e dini se kur fillova të predikoj ungjillin, pasi u largova nga Maqedonia, asnjë kishë, përveç jush, nuk më ndihmoi ekonomikisht.

16. Në të vërtetë edhe kur gjendesha në Selanik, jo një por dy herë, ju më dërguat ndihmë kur isha në nevojë.

17. Unë nuk po kërkoj dhuratë nga ju, por po kërkoj të shoh frytet e zemërgjerësisë suaj, që janë për dobinë tuaj.

18. Unë kam gjithçka dhe më tepron. Kam gjithë të mirat, pasi mora nga Epafroditi çfarë më kishit dërguar ju, një aromë erëmirë, një fli e pranueshme, e pëlqyeshme për Perëndinë.

19. Perëndia im do të plotësojë përmes Krishtit Jezu çdo nevojë tuajën, sipas pasurive të tij të lavdishme.

20. Perëndisë dhe Atit tonë i qoftë lavdia në shekuj të shekujve! Amen!

Përshëndetjet e fundit

21. Përshëndetni të gjithë besimtarët në emër të Krishtit Jezu.Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin.

22. Ju përshëndesin të gjithë besimtarët e krishterë, sidomos ata të shtëpisë së Cezarit.

23. Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj.