Dhjata e Re

Filipianëve 3:7-21 Së Bashku (ALNT)

7. Por këto gjëra që dikur kishin vlerë për mua, tani i quaj humbje për shkak të Krishtit.

8. E me të vërtetë unë i shoh të gjitha si humbje, përballë epërsisë që vjen nga njohja e Krishtit Jezu, Zotit tim. Për shkak të tij unë i humba të gjitha këto dhe i shoh si plehra, në mënyrë që të fitoj Krishtin

9. dhe të jem me të, duke mos u bërë i drejtë përmes ligjit të Moisiut, por përmes besimit në Krishtin, domethënë të bëhem i drejtë nga Perëndia përmes besimit.

10. Unë dua të njoh Krishtin dhe fuqinë e ngjalljes së tij, të marr pjesë në vuajtjet e tij dhe të bashkohem me të në vdekjen e tij,

11. me shpresën që të arrij të ngjallem prej të vdekurve.

12. Nuk them se ia kam arritur fundit e as se jam bërë i përsosur, por ende vrapoj për të fituar çmimin, për të cilin edhe Krishti më fitoi mua.

13. Vëllezër, unë nuk mendoj për veten time se ia kam arritur, por di të them se i kam harruar ato që kam lënë pas dhe se po rend drejt atyre që kam përpara,

14. drejt synimit për të fituar çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë, përmes Krishtit Jezu.

15. Kështu le të mendojmë të gjithë ne që jemi të përsosur në besim. Nëse ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t’ju ndriçojë mendjen edhe për këtë gjë.

16. Pavarësisht se ku kemi arritur, le të vazhdojmë të ndjekim të njëjtën udhë.

17. Vëllezër, ndiqni shembullin tim dhe shikoni ata që jetojnë sipas shembullit tonë.

18. Siç ju kam thënë shpesh e po jua them edhe tani me lot ndër sy, se ka shumë nga ata që jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit.

19. Fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku, ata mburren me gjëra për të cilat duhet të turpëroheshin. Ata e kanë mendjen në gjërat e kësaj bote,

20. ndërsa ne e kemi qytetarinë në qiej, prej nga presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht.

21. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë duke e bërë të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, me anë të fuqisë dhe pushtetit që ka për të nënshtruar gjithçka nën sundimin e vet.

Lexoni kapitullin e plotë Filipianëve 3