Dhjata e Re

Efesianëve 4:20-32 Së Bashku (ALNT)

20. Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin.

21. Sigurisht ju e keni dëgjuar Jezuin dhe jeni mësuar prej tij, sipas së vërtetës që gjendet në të.

22. Hidhni tej mënyrën e mëparshme të të jetuarit dhe njeriun e vjetër që shkatërrohet nga epshet mashtruese.

23. Përtërihuni në shpirtin dhe në mendjen tuaj

24. dhe vishni njeriun e ri, që Perëndia e krijoi për të jetuar në drejtësinë dhe në shenjtërinë që vijnë nga e vërteta e tij.

25. Prandaj, hidhni tej gënjeshtrat dhe çdonjëri t’i thotë të vërtetën tjetrit, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit.

26. Zemërohuni por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të zemëruar.

27. Mos i bëni vend djallit.

28. Kush vidhte, le të mos vjedhë më, por, përkundrazi, të punojë ndershmërisht me duart e veta, që të ketë për t’i dhënë atij që ka nevojë.

29. Le të mos dalë asnjë fjalë e ndyrë nga goja juaj, por vetëm fjalë të dobishme, që ndihmojnë rritjen në besim, sipas nevojës, e që të jenë të dobishme për ata që i dëgjojnë.

30. Mos e brengosni Shpirtin e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin ai ju vulosi për ditën e shpengimit.

31. Hiqni nga vetja çdo lloj hidhëtie, zemërimi, tërbimi, bërtitjeje e fyerjeje si dhe çdo ligësi.

32. Përkundrazi, jini të mirë dhe të dhembshur me njëri-tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse ju ka falur edhe Perëndia përmes Krishtit.

Lexoni kapitullin e plotë Efesianëve 4