Dhjata e Re

Efesianëve 4:1-15 Së Bashku (ALNT)

1. Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju lutem të bëni një jetë të denjë për Perëndinë që ju thirri,

2. një jetë me shumë përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e pranuar njëri-tjetrin me dashuri,

3. duke u përpjekur të ruani unitetin që vjen nga Shpirti i Shenjtë, përmes paqes që ju lidh me njëri-tjetrin.

4. Ka vetëm një trup dhe vetëm një Shpirt të Shenjtë, sikurse dhe ka vetëm një shpresë në të cilën ju thirri Perëndia.

5. Ka vetëm një Zot, një besim, një pagëzim,

6. një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, që është mbi të gjithë, që vepron përmes të gjithëve dhe që banon në të gjithë.

7. Kështu, secilit nga ne iu dha hiri në atë masë që Krishti deshi të na dhurojë.

8. Prandaj Shkrimi i shenjtë thotë: Kur u ngrit në lartësi, të robëruarit i bëri robër të tij dhe njerëzve u dha dhunti.

9. Fjalët ‘u ngrit’, a nuk do të thonë se ai kishte zbritur më parë në pjesët më të ulëta të tokës?

10. Ai që zbriti është po ai që edhe u ngrit përmbi gjithë qiejt, që të përmbushë gjithçka.

11. Disa ai i bëri apostuj, disa i bëri profetë, disa i bëri ungjilltarë, disa i bëri barinj e mësues,

12. që të përgatisë besimtarët e krishterë për të kryer veprën e shërbimit ndaj të tjerëve, për rritjen në besim të trupit të Krishtit,

13. derisa të arrijmë të gjithë në unitetin e besimit dhe në njohjen e Birit të Perëndisë. Kështu do të bëhemi njerëz të përsosur, sipas masës së përsosmërisë së Krishtit,

14. që të mos jemi më foshnja, të hedhur andej-këtej dhe që i vërtit era e çdo mësimi njerëzor, e që e lënë veten të mashtrohen nga dinakëria e dredhia e njerëzve.

15. Por, duke dëshmuar të vërtetën me dashuri, le të rritemi plotësisht drejt atij që është kreu, Krishtit.

Lexoni kapitullin e plotë Efesianëve 4