Dhjata e Re

2 Timoteut 4:4-16 Së Bashku (ALNT)

4. Ata nuk do t’ia vënë veshin së vërtetës dhe do t’u kthehen përrallave.

5. Por ti ji me mendje të kthjellët për çdo gjë, duro vuajtjen, kryeje punën e ungjilltarit dhe përmbushe shërbesën tënde.

6. Ndërsa unë tashmë po derdhem si pija që i kushtohet Perëndisë për flijim dhe koha e lamtumirës sime erdhi.

7. Luftën e mirë e luftova, garën e përfundova dhe besimin e ruajta.

8. Pas kësaj më pret kurora e drejtësisë, që Zoti, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë dhe jo vetëm mua, por edhe të gjithëve atyre që kanë pritur me dashuri ardhjen e tij.

9. Nxito të vish sa më parë tek unë,

10. sepse Dema, duke dashur këtë botë, më braktisi dhe iku në Selanik. Kreski shkoi në Galati, ndërsa Titi në Dalmaci.

11. Vetëm Luka është me mua.Merre edhe Markun me vete, sepse ai është i dobishëm për shërbesën time.

12. Tikikun e dërgova në Efes.

13. Kur të vish, më sill mantelin që i lashë Karpit në Troadë dhe librat, sidomos pergamenat.

14. Aleksandri, bakërpunuesi, më bëri shumë të këqija; Zoti do t’ia shpërblejë sipas veprave të tij.

15. Ruaju edhe ti prej tij, sepse ai i kundërshtoi fort fjalët tona.

16. Në mbrojtjen time të parë asnjeri nuk më përkrahu, por të gjithë më braktisën. Kjo mos iu numëroftë për faj!

Lexoni kapitullin e plotë 2 Timoteut 4