Dhjata e Re

2 Pjetrit 2:10-18 Së Bashku (ALNT)

10. sidomos ata që shkojnë pas lakmive të epsheve trupore dhe përbuzin pushtetin e Perëndisë.Ata janë të paturpshëm, arrogantë dhe njerëz që nuk kanë frikë të fyejnë fuqitë e lavdishme qiellore,

11. ndërsa engjëjt, që janë më të mëdhenj për nga forca dhe pushteti nuk sjellin para Zotit gjykime fyese kundër tyre.

12. Por ata janë pa mend, si kafshët që lindin për t’u kapur e për t’u therur. Ata flasin keq për gjërat që nuk i dinë dhe do të shkatërrohen po ashtu si kafshët;

13. do të marrin shpagimin e padrejtësisë.Ata e kanë për kënaqësi kur e kalojnë ditën në shthurje. Është njollë e turp që ata të marrin pjesë në darkat tuaja kur vazhdojnë ende të kënaqen në mashtrimet e tyre.

14. Sytë i kanë plot dëshirë për të bërë tradhti bashkëshortore dhe nuk pushojnë së mëkatuari. Mashtrojnë shpirtrat e paqëndrueshëm, zemrën e kanë të stërvitur për lakmi dhe janë bij mallkimi.

15. Ata e lanë udhën e drejtë dhe u mashtruan e shkuan pas udhës së Balaamit, birit të Bosorit, që donte të fitonte duke bërë padrejtësi.

16. Por ai u ndëshkua për paudhësinë e tij, sepse kafsha pa gojë foli si njeri dhe e pengoi marrëzinë e profetit.

17. Këta janë burime pa ujë dhe re që shtyhen nga era, për të cilët është ruajtur terri i errësirës.

18. Me fjalë të fryra e të kota bëjnë për vete me anë të kënaqësive trupore dhe me anë të fëlligështive ata që sapo kishin shpëtuar prej atyre që jetojnë në mashtrim.

Lexoni kapitullin e plotë 2 Pjetrit 2