Dhjata e Re

2 Korintasve 8:4-13 Së Bashku (ALNT)

4. Ata na u lutën me këmbëngulje t’u jepnim nderin për të marrë pjesë në dërgimin e ndihmave në dobi të besimtarëve të krishterë.

5. Ata jo vetëm dhuruan më shumë sesa shpresonim, por ia kushtuan veten së pari Zotit dhe pastaj neve, sipas vullnetit të Perëndisë.

6. Kështu, ne i kërkuam Titit që, ashtu siç e kishte filluar tashmë, t’ju ndihmonte të çonit deri në fund veprën e ndihmës për besimtarët e krishterë.

7. Tani që jeni të begatë në gjithçka: në besim, në fjalë, në dije e në përkushtim të plotë, dhe tani që gëzoni dashurinë tonë, dëshirojmë të jeni të begatë edhe në këtë vepër ndihme për besimtarët e krishterë.

8. Këtë nuk po e them si urdhër, por, duke ju treguar përkushtimin e të tjerëve, po vë në provë sinqeritetin e dashurisë suaj.

9. Ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili edhe pse ishte i pasur, u bë i varfër për ju, që të bëheshit të pasur me varfërinë e tij.

10. Për këtë gjë po ju jap një mendim: është në dobinë tuaj që atë që fillluat të bëni vitin e shkuar, jo vetëm ta bëni, por edhe të dëshironi ta bëni.

11. Tani çojeni deri në fund atë që keni filluar të bëni. Ashtu siç patët dëshirën për ta filluar, ashtu edhe përfundojeni, sipas mundësive që keni.

12. Sepse, aty ku ka vullnet të mirë, Perëndia pranon sipas asaj që njeriu ka dhe jo sipas asaj që njeriu nuk ka.

13. Këtë nuk e them që të tjerët të lehtësohen e ju të futeni në vështirësi, por e them për hir të barazisë.

Lexoni kapitullin e plotë 2 Korintasve 8