Dhjata e Re

2 Korintasve 8:11-21 Së Bashku (ALNT)

11. Tani çojeni deri në fund atë që keni filluar të bëni. Ashtu siç patët dëshirën për ta filluar, ashtu edhe përfundojeni, sipas mundësive që keni.

12. Sepse, aty ku ka vullnet të mirë, Perëndia pranon sipas asaj që njeriu ka dhe jo sipas asaj që njeriu nuk ka.

13. Këtë nuk e them që të tjerët të lehtësohen e ju të futeni në vështirësi, por e them për hir të barazisë.

14. Tani ju keni mjaftueshëm dhe mund të ndihmoni ata që janë në nevojë, kështu që edhe ata t’ju ndihmojnë kur të kenë mjaftueshëm e kur ju të jeni në nevojë, që të ketë barazi,

15. siç thotë Shkrimi i shenjtë: Asgjë nuk i teproi atij që kishte shumë dhe asgjë nuk i mungoi atij që kishte pak.

16. Lavdi i qoftë Perëndisë që të njëjtin përkushtim që kam unë për ju, e vuri edhe në zemrën e Titit.

17. Ai jo vetëm që e pranoi kërkesën tonë, por, duke qenë edhe më i përkushtuar, vendosi vetë të vijë te ju.

18. Bashkë me të po dërgojmë edhe vëllanë që e lavdërojnë të gjitha kishat për shërbimin që i ka bërë ungjillit.

19. Përveç kësaj, ai është caktuar nga kishat që të na shoqërojë për ta çuar deri në fund veprën e ndihmës suaj për lavdinë e Zotit dhe për të treguar vullnetin tonë të mirë,

20. duke shmangur kështu çdo fajësim që mund të na bëhej në lidhje me administrimin e kësaj dhurate të madhe,

21. sepse dëshirojmë të bëjmë çfarë është e drejtë jo vetëm në sytë e Zotit, por edhe në sytë e njerëzve.

Lexoni kapitullin e plotë 2 Korintasve 8