Dhjata e Re

2 Korintasve 4:10-18 Së Bashku (ALNT)

10. Ne mbartim gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë.

11. Ne vërtetë jemi gjallë, por në çdo çast i dorëzohemi vdekjes për hir të Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë të vdekshëm.

12. Kështu, ne na kërcënon vdekja, ndërsa ju fitoni jetën.

13. Por ne kemi të njëjtin shpirt të besimit, sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Besova, prandaj fola. Edhe ne besojmë, prandaj flasim,

14. sepse e dimë se ai që e ngjalli Zotin Jezu, do të na ngjallë edhe ne me Jezuin e bashkë me ju do të na paraqesë para vetes.

15. Gjithçka bëhet për ju, në mënyrë që sa më shumë njerëz të pranojnë hirin e Perëndisë dhe ta falënderojnë gjithnjë e më shumë atë e t’i japin lavdi.

16. Prandaj nuk ligështohemi. Megjithëse së jashtmi shkojmë drejt kalbjes, nga brenda ripërtërihemi dita-ditës.

17. Ky pikëllim i lehtë që po kalojmë tani po na përgatit për një lavdi të pashoqe, të begatë e të amshuar.

18. Ne nuk jemi përqendruar tek gjërat që duken, por tek ato që nuk duken, sepse gjërat e dukshme janë të përkohshme, ndërsa të padukshmet janë të amshuara.

Lexoni kapitullin e plotë 2 Korintasve 4