Dhjata e Re

2 Korintasve 12:10-15 Së Bashku (ALNT)

10. Prandaj gëzohem edhe kur jam i dobët, edhe kur më shajnë, edhe kur jam në nevojë, edhe kur më përndjekin, edhe kur jam në vështirësi për shkak të Krishtit. Në të vërtetë, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.

11. U bëra i marrë, por më detyruat ju. Ju duhej të më kishit lavdëruar, se, edhe pse nuk jam asgjë, nuk jam aspak më i vogël se ata që e mbajnë veten mbi apostujt.

12. Unë jam apostull i vërtetë dhe këtë e tregojnë mrekullitë, shenjat dhe veprat e fuqishme që kam kryer para jush me shumë durim.

13. Në çfarë gjëje paskeni mbetur prapa kishave të tjera? Mos ndoshta ngaqë unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë padrejtësi.

14. Ja, jam gati të vij te ju për të tretën herë e nuk do t’ju bëhem barrë, sepse nuk kërkoj gjërat tuaja, por ju kërkoj ju. Nuk janë fëmijët ata që duhet të mbledhin thesar për prindërit, por prindërit për fëmijët.

15. Me gëzim të madh do të shpenzoj e do të shpenzohem krejtësisht për ju. Megjithëse unë ju dua më shumë, ju më doni më pak.

Lexoni kapitullin e plotë 2 Korintasve 12