Dhjata e Re

2 Korintasve 12:1-11 Së Bashku (ALNT)

1. Megjithëse nuk është mirë të krenohem, duhet ta bëj dhe prandaj do t’ju flas për vegimet dhe zbulesat që më ka dhënë Zoti.

2. Njoh një njeri, që beson në Krishtin, i cili para katërmbëdhjetë vjetësh u mor në qiellin e tretë, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di.

3. Di edhe se ky njeri, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di,

4. u mor në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme dhe që nuk mund t’i thotë asnjeri.

5. Me këtë njeri do të krenohem e jo me veten time. Unë do të krenohem vetëm me dobësitë e mia.

6. Edhe po të dëshiroja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të thosha të vërtetën. Por nuk po e bëj këtë, që askush të mos më vlerësojë më tepër nga ç’dukem e nga ç’them,

7. edhe pse zbulesat janë të jashtëzakonshme. Prandaj, që të mos mbahem me të madh, m’u dha një gjemb në trup, një engjëll i Satanit, që të më torturonte për të mos m’u rritur mendja.

8. Tri herë iu luta Zotit që të më çlironte nga kjo torturë,

9. por ai m’u përgjigj: «Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime tregohet e plotë në dobësinë tënde». Prandaj do të krenohem edhe më shumë me dobësitë e mia, që të banojë tek unë fuqia e Krishtit.

10. Prandaj gëzohem edhe kur jam i dobët, edhe kur më shajnë, edhe kur jam në nevojë, edhe kur më përndjekin, edhe kur jam në vështirësi për shkak të Krishtit. Në të vërtetë, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.

11. U bëra i marrë, por më detyruat ju. Ju duhej të më kishit lavdëruar, se, edhe pse nuk jam asgjë, nuk jam aspak më i vogël se ata që e mbajnë veten mbi apostujt.

Lexoni kapitullin e plotë 2 Korintasve 12