Dhjata e Re

2 Korintasve 11:11-23 Së Bashku (ALNT)

11. E pse? Se nuk ju dua? Perëndia e di se ju dua.

12. Atë që po bëj do të vazhdoj ta bëj, që t’ua heq mundësinë atyre që e dëshirojnë një mundësi për t’u njohur si të barabartë me ne në gjërat për të cilat mburren.

13. Këta janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që hiqen si apostuj të Krishtit.

14. E mos u çuditni! Edhe Satani hiqet si engjëll drite.

15. Prandaj nuk është gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij hiqen si shërbëtorë të drejtësisë. Siç kanë veprat, ashtu edhe do të përfundojnë.

16. Po e përsëris: të mos mendojë askush se jam i marrë! Por, nëse mendoni kështu, atëherë më pranoni si të marrë, që të krenohem pak edhe unë.

17. Atë që po them tani nuk po e them sipas Zotit, por si të isha një i marrë që mendon se mund të krenohet.

18. Meqenëse shumë veta krenohen me gjëra njerëzore, atëherë do të krenohem edhe unë,

19. sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtësisht të marrët.

20. Nëse dikush ju trajton si skllevër, ju shfrytëzon, ju plaçkit, ju përçmon, ju qëllon në fytyrë, ju e duroni.

21. Më vjen turp të them se kemi qenë tepër të dobët, por, nëse dikush merr guximin të krenohet me ndonjë gjë - po flas si të isha i marrë - atëherë do të guxoja edhe unë.

22. A janë ata hebrenj? Edhe unë jam. Janë izraelitë? Edhe unë jam. Janë pasardhës të Abrahamit? Edhe unë jam.

23. Janë shërbëtorë të Krishtit? Po flas si të isha i çmendur: unë jam edhe më shumë. Kam kaluar më shumë mundime se ata, më kanë burgosur më shumë se ata, kam vuajtur fshikullima të panumërta e shpesh kam qenë në rrezik për vdekje.

Lexoni kapitullin e plotë 2 Korintasve 11