Dhjata e Re

2 Korintasve 11:1-10 Së Bashku (ALNT)

1. Ah sikur ta duronit pak marrëzi nga ana ime. Më duroni, pra!

2. Ndiej për ju një lakmi që vjen prej Perëndisë. Ju fejova me një burrë të vetëm dhe ju paraqita te Krishti si një virgjëreshë të pastër.

3. Por kam frikë se, sikurse e mashtroi gjarpri Evën me dinakërinë e tij, edhe mendimet tuaja do të shmangen nga përkushtimi i çiltër dhe i pastër ndaj Krishtit.

4. Në të vërtetë, nëse vjen dikush dhe ju predikon një tjetër Jezu nga ai që ju predikuam ne, nëse merrni një tjetër shpirt nga ai që morët apo një ungjill të ndryshëm nga ai që pranuat, ju e duroni me dëshirë.

5. Unë mendoj se nuk jam aspak më i vogël se këta kryeapostuj.

6. Edhe po të isha më i dobët në gojëtari, nuk jam në dije dhe këtë gjë jua kemi bërë të ditur në çdo mënyrë e në gjithçka.

7. A mos bëra mëkat se përula veten që të lartësoheshit ju duke ju predikuar falas ungjillin e Perëndisë?

8. Kam marrë nga kishat e tjera çfarë më duhej për të jetuar dhe u kam hyrë në pjesë për t’ju shërbyer juve.

9. Kur isha te ju e kur isha në nevojë, nuk iu bëra barrë askujt, sepse m’i plotësuan nevojat vëllezërit nga Maqedonia. Kështu jam ruajtur e do të ruhem që të mos ju bëhem barrë.

10. Për të vërtetën e Krishtit që është në mua, mburrja ime nuk do të heshtë në krahinën e Akaisë.

Lexoni kapitullin e plotë 2 Korintasve 11