Dhjata e Re

2 Korintasve 1:13-24 Së Bashku (ALNT)

13. Nuk po ju shkruajmë gjë tjetër, përveç asaj që lexoni e kuptoni. Unë shpresoj se deri në fund do ta kuptoni plotësisht,

14. sikurse deri diku na keni kuptuar edhe ne, se në Ditën e Zotit Jezu ne do të krenohemi me ju dhe ju do të krenoheni me ne.

15. Me këtë bindje desha të vija së pari te ju, që të gëzoheshit dyfish.

16. Doja të kaloja nga ju për të shkuar në Maqedoni dhe nga Maqedonia të kthehesha përsëri te ju, që të më përcillnit për në Jude.

17. Kur vendosa të bëja kështu, mos vallë po veproja me mendjelehtësi? Mos vallë i marr vendimet sipas gjykimeve njerëzore, që të them ‘po’ dhe ‘jo’ njëherësh?

18. Perëndia dëshmon se fjala jonë për ju nuk ka qenë ‘po’ dhe ‘jo’ njëherësh,

19. se Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, që e shpallëm mes jush unë, Silvani dhe Timoteu, nuk ishte ‘po’ edhe ‘jo’ njëherësh. Përkundrazi ai u bë ‘po’-ja e Perëndisë.

20. Përmes Jezuit merr ‘po’ çdo premtim i Perëndisë, prandaj përmes tij ne lavdërojmë Perëndinë duke i thënë ‘amen’.

21. Është vetë Perëndia ai që na forcon bashkë me ju në jetën me Krishtin, ai që na vajos,

22. dhe ai që na ka vulosur duke vënë Shpirtin e tij në zemrat tona si kapar.

23. Po për këtë thërras Perëndinë si dëshmitar për shpirtin tim: unë nuk u ktheva në Korint, sepse nuk doja t’ju bëhesha barrë.

24. Nuk duam të sillemi si zota të besimit tuaj, por si bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj, meqenëse qëndroni të fortë në besim.

Lexoni kapitullin e plotë 2 Korintasve 1