Dhjata e Re

1 Timoteut 5:9-24 Së Bashku (ALNT)

9. Vejusha të regjistrohet në listën e vejushave kur të jetë jo më pak se gjashtëdhjetë vjeçe dhe të ketë qenë gruaja e një burri të vetëm.

10. Ajo duhet të njihet për vepra të mira: që i ka edukuar mirë fëmijët, ka qenë mikpritëse, u ka larë këmbët besimtarëve të krishterë, i ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar çdo vepre të mirë.

11. Por mos prano vejusha më të reja, sepse kur dëshirojnë të martohen përsëri, largohen nga Krishti,

12. duke marrë gjykimin për shkak se e lanë mënjanë besimin e parë.

13. Në të njëjtën kohë mësohen të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, dhe jo vetëm përtace, por flasin gjëra që nuk duhet, duke shpifur e duke u marrë me llafe.

14. Prandaj dua që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak për të na përfolur,

15. pasi disa tashmë e lanë udhën e drejtë dhe ndoqën Satanin.

16. Nëse ndonjë besimtare ka ndonjë vejushë në shtëpi, le t’a ndihmojë atë dhe të mos i bëhet barrë kishës, kështu që kisha të ndihmojë ato që janë vërtet vejusha.

17. Pleqtë që drejtojnë mirë bashkësinë, le të shpërblehen dyfish, sidomos ata që mundohen në predikim e në mësimdhënie.

18. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Kaut që shin, mos i vër kapistër, dhe: «Punëtori e meriton pagën e vet».

19. Kundër plakut të kishës mos prano padi, veçse kur vijnë dy ose tre dëshmitarë.

20. Ata që mëkatojnë, qortoji para të gjithëve, që të kenë frikë edhe të tjerët.

21. Të përbetohem para Perëndisë dhe Krishtit Jezu dhe engjëjve të zgjedhur, që t’i zbatosh këto gjëra pa paragjykim dhe të mos bësh asgjë me anësi.

22. Mos u nxito që me anë të vënies së duarve t’i japësh përgjegjësi dikujt, e as mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve.Ruaje veten të dëlirë!

23. Mos pi më vetëm ujë, por pi pak verë për shkak të stomakut dhe të sëmundjeve të tua të shpeshta.

24. Disa njerëzve u duken qartë mëkatet, edhe përpara se të gjykohen, ndërsa disa të tjerëve u dalin sheshit më pas.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Timoteut 5