Dhjata e Re

1 Timoteut 5:1-17 Së Bashku (ALNT)

1. Të moshuarin mos e qorto ashpër, por këshilloje si atë, të rinjtë si vëllezër,

2. të moshuarat si nëna, të rejat si motra, me shumë dëlirësi.

3. Ndero vejushat që janë vërtet të veja.

4. Por nëse një vejushë ka fëmijë ose nipër, këta le të mësojnë, së pari, të tregojnë përkujdesje për njerëzit e shtëpisë së tyre dhe t’ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse këtë gjë pëlqen Perëndia.

5. Por ajo që është vërtet vejushë dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe vazhdon në përgjërime dhe lutje natë e ditë.

6. Ndërsa ajo që jeton në shthurje është e vdekur edhe pse rron.

7. Porositi kështu vejushat, që ato të jenë të paqortueshme.

8. Por kush nuk kujdeset për të afërmit e sidomos për ata të shtëpisë së vet, ky e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një i pafe.

9. Vejusha të regjistrohet në listën e vejushave kur të jetë jo më pak se gjashtëdhjetë vjeçe dhe të ketë qenë gruaja e një burri të vetëm.

10. Ajo duhet të njihet për vepra të mira: që i ka edukuar mirë fëmijët, ka qenë mikpritëse, u ka larë këmbët besimtarëve të krishterë, i ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar çdo vepre të mirë.

11. Por mos prano vejusha më të reja, sepse kur dëshirojnë të martohen përsëri, largohen nga Krishti,

12. duke marrë gjykimin për shkak se e lanë mënjanë besimin e parë.

13. Në të njëjtën kohë mësohen të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, dhe jo vetëm përtace, por flasin gjëra që nuk duhet, duke shpifur e duke u marrë me llafe.

14. Prandaj dua që vejushat e reja të martohen, të lindin fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak për të na përfolur,

15. pasi disa tashmë e lanë udhën e drejtë dhe ndoqën Satanin.

16. Nëse ndonjë besimtare ka ndonjë vejushë në shtëpi, le t’a ndihmojë atë dhe të mos i bëhet barrë kishës, kështu që kisha të ndihmojë ato që janë vërtet vejusha.

17. Pleqtë që drejtojnë mirë bashkësinë, le të shpërblehen dyfish, sidomos ata që mundohen në predikim e në mësimdhënie.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Timoteut 5