kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5

Dhjata e Re

1 Selanikasve 4 Së Bashku (ALNT)

Jeta që i pëlqen Perëndisë

1. Së fundi, o vëllezër, ju mësuat prej nesh sesi duhet të jetoni ashtu siç i pëlqen Perëndisë. Ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në emër të Zotit Jezu, që të vazhdoni të jetoni kështu, madje të përparoni edhe më shumë.

2. Ju i dini udhëzimet që ju dhamë nga ana e Zotit Jezu.

3. Vullneti i Perëndisë është që ju të bëni një jetë të shenjtë, të hiqni dorë nga kurvëria,

4. që çdonjëri prej jush të dijë ta mbajë të shenjtë dhe me nder trupin e vet,

5. dhe të mos ia nënshtrojë atë pasioneve të epshit siç bëjnë kombet pagane që nuk e njohin Perëndinë.

6. Askush të mos e mashtrojë e as të mos i bëjë keq vëllait të vet në këto gjëra, sepse për të gjitha këto do të hakmerret Zoti, gjë që jua kemi thënë dhe jua kemi dëshmuar edhe më parë.

7. Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim.

8. Prandaj kush hedh poshtë këto udhëzime, nuk hedh poshtë një njeri, por hedh poshtë Perëndinë që ju ka dhënë Shpirtin e tij të Shenjtë.

9. Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj, sepse vetë Perëndia ju ka mësuar ta doni njëri-tjetrin.

10. Është e vërtetë që ju e bëni këtë për të gjithë vëllezërit që janë në gjithë Maqedoninë, por ne ju bëjmë thirrje o vëllezër, të përparoni edhe më shumë në këtë gjë.

11. Përpiquni të jetoni në paqe, të shikoni punët tuaja dhe ta fitoni jetesën nga duart tuaja, siç ju kemi udhëzuar edhe më parë.

12. Kështu do të jetoni me nder në sy të atyre që janë jashtë kishës dhe nuk do t’ia keni nevojën askujt.

Ardhja e Zotit

13. O vëllezër, ne nuk duam që të mos e dini se çfarë do të bëhet me ata që kanë vdekur, që të mos hidhëroheni edhe ju si ata që nuk kanë shpresë.

14. Nëse besojmë se Jezui vdiq dhe u ngjall, po kështu edhe Perëndia do t’i ngjallë bashkë me të ata që vdiqën dhe që kishin besuar në të.

15. Këtë po jua themi me fjalët e Zotit:ne të gjallët, që do të jemi ende gjallë kur të vijë Zoti, nuk do ta takojmë Zotin përpara atyre që kanë vdekur,

16. sepse vetë Zoti, me një kushtrim, me zë kryeengjëlli dhe me trumbetën e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe të vdekurit që kishin besuar në Krishtin do të ngjallen të parët.

17. Pastaj, ne që do të kemi mbetur ende gjallë, do të rrëmbehemi bashkë me ata në re për ta takuar Zotin lart; dhe kështu do të jemi gjithmonë bashkë me Zotin.

18. Prandaj ngushëllojeni njëri-tjetrin me këto fjalë.