Dhjata e Re

1 Selanikasve 3:1-9 Së Bashku (ALNT)

1. Ne nuk po duronim dot më, prandaj vendosëm të qëndronim vetë në Athinë

2. dhe te ju të dërgonim Timoteun, vëllanë tonë, që i shërben Perëndisë bashkë me ne për predikimin e ungjillit të Krishtit, që t’ju forcojë dhe t’ju këshillojë për besimin tuaj,

3. që asnjëri të mos lëkundet nga vuajtjet që po kaloni. Ju vetë e dini se këto gjëra na presin.

4. Kur ishim me ju, ne ju paralajmëruam se do të përndiqeshim, dhe siç e dini kjo ndodhi.

5. Prandaj edhe unë nuk durova dot më dhe e dërgova Timoteun, që të marr vesh për besimin tuaj, se mos tunduesi ju kishte tunduar dhe mundi ynë kishte shkuar dëm.

6. Por Timoteu është kthyer tashmë prej jush dhe ka sjellë lajme të mira për besimin dhe për dashurinë tuaj, dhe se ju ruani kujtime të mira për ne dhe keni mall të na shihni, sikurse kemi edhe ne mall t’ju shohim.

7. Prandaj, o vëllezër, mes gjithë mundimeve dhe vuajtjeve që po kalojmë, gjetëm ngushëllim falë besimit tuaj.

8. Sepse tani që morëm vesh se ju qëndroni të fortë në Zotin, ne jetojmë me të vërtetë.

9. Me çfarë fjalësh mund ta falënderojmë Perëndinë pas gjithë atij gëzimi që na dhatë para tij?

Lexoni kapitullin e plotë 1 Selanikasve 3