Dhjata e Re

1 Pjetrit 1:6-18 Së Bashku (ALNT)

6. Gëzohuni për këtë, edhe nëse do të duhet të hidhëroheni për pak kohë nga tundime të ndryshme.

7. Kështu sprova e besimit tuaj, që është më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me zjarr, të jetë për lëvdimin, lavdinë dhe nderin tuaj kur të shfaqet Jezu Krishti.

8. Ju e doni atë, megjithëse nuk e keni parë dhe besoni në të, megjithëse tani nuk e shihni. Prandaj ju gëzoni me një hare të papërmbajtshme, që nuk mund të shprehet me fjalë,

9. sepse po fitoni qëllimin e besimit, shpëtimin e shpirtrave.

10. Këtë shpëtim kërkuan profetët dhe për të kanë hulumtuar. Ata profetizuan për hirin që ju është dhënë juve

11. dhe u përpoqën të gjenin kohën dhe rrethanat që Shpirti i Krishtit brenda tyre u paralajmëronte për vuajtjet e Krishtit dhe për lavdinë që do të vinte më pas.

12. Profetëve iu zbulua se ato që thoshin nuk ishin për ata vetë, po për ju. Pikërisht këto gjëra ju i keni dëgjuar tashmë nëpërmjet atyre që ju shpallën ungjillin në Shpirtin e Shenjtë të dërguar prej qiellit. Këto do të donin t’i shihnin edhe engjëjt.

13. Prandaj, bëhuni gati shpirtërisht, rrini zgjuar dhe shpresoni plotësisht në hirin që do t’ju jepet kur të shfaqet Jezu Krishti.

14. Si bij të bindur, mos jetoni sipas dëshirave të mëparshme, që i kishit kur ishit në padije.

15. Përkundrazi, gjithë sjellja juaj të jetë e shenjtë, sikurse është i shenjtë edhe ai që ju thirri.

16. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Jini të shenjtë, se unë jam i shenjtë.

17. Nëse e quani Atë Perëndinë që gjykon gjithsecilin sipas veprave, pa mbajtur anë, atëherë kalojeni shtegtimin tuaj mbi tokë me druajtje ndaj Perëndisë.

18. Ju e dini se nuk u shpenguat nga jeta e kotë që trashëguat prej etërve tuaj me gjëra që prishen, siç janë argjendi apo ari,

Lexoni kapitullin e plotë 1 Pjetrit 1