Dhjata e Re

1 Pjetrit 1:15-25 Së Bashku (ALNT)

15. Përkundrazi, gjithë sjellja juaj të jetë e shenjtë, sikurse është i shenjtë edhe ai që ju thirri.

16. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Jini të shenjtë, se unë jam i shenjtë.

17. Nëse e quani Atë Perëndinë që gjykon gjithsecilin sipas veprave, pa mbajtur anë, atëherë kalojeni shtegtimin tuaj mbi tokë me druajtje ndaj Perëndisë.

18. Ju e dini se nuk u shpenguat nga jeta e kotë që trashëguat prej etërve tuaj me gjëra që prishen, siç janë argjendi apo ari,

19. por me gjakun e çmuar të Krishtit, Qengjit të patëmetë dhe të panjollë.

20. Flijimi i Krishtit ishte caktuar nga Perëndia që përpara se të krijohej bota, po për ju u shfaq në këto kohët e fundit.

21. Nëpërmjet tij ju besoni në Perëndinë që e ngjalli atë prej të vdekurve dhe i dha lavdi. Kështu, besimi dhe shpresa juaj janë në Perëndinë.

22. Tani që ju i keni pastruar shpirtrat duke iu bindur së vërtetës dhe i keni dashur sinqerisht vëllezërit, ta doni njëri-tjetrin me gjithë shpirt e me zemër të pastër!

23. Ju nuk keni rilindur nga fara që prishet, por nga fara që nuk prishet, nga fjala e Perëndisë së gjallë dhe të amshuar.

24. Sepse thuhet: Çdo njeri është si bari dhe gjithë lavdia e tij është si lulja e barit. Bari u tha dhe lulja u vyshk,

25. ndërsa fjala e Zotit mbetet në amshim.Kjo fjalë është ungjilli që ju është shpallur juve.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Pjetrit 1