Dhjata e Re

1 Pjetrit 1:1-11 Së Bashku (ALNT)

1. Unë, Pjetri, apostull i Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve që jetoni në dhè të huaj, të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini, që jeni zgjedhur

2. sipas qëllimit të Perëndisë dhe jeni shenjtëruar nga Shpirti i Shenjtë për t’iu bindur Jezu Krishtit dhe për t’u pastruar me gjakun e tij:Hiri dhe paqja u shtoftë ndër ju!

3. Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na rilindi nga mëshira e tij e madhe, nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve, që të kemi shpresën e gjallë dhe

4. trashëgimin e paprishshëm, të panjollë dhe të pavyshkur, që është ruajtur në qiej për ju.

5. Ju jeni ruajtur nga fuqia e Perëndisë, nëpërmjet besimit, për shpëtimin që është gati të zbulohet në kohët e fundit.

6. Gëzohuni për këtë, edhe nëse do të duhet të hidhëroheni për pak kohë nga tundime të ndryshme.

7. Kështu sprova e besimit tuaj, që është më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me zjarr, të jetë për lëvdimin, lavdinë dhe nderin tuaj kur të shfaqet Jezu Krishti.

8. Ju e doni atë, megjithëse nuk e keni parë dhe besoni në të, megjithëse tani nuk e shihni. Prandaj ju gëzoni me një hare të papërmbajtshme, që nuk mund të shprehet me fjalë,

9. sepse po fitoni qëllimin e besimit, shpëtimin e shpirtrave.

10. Këtë shpëtim kërkuan profetët dhe për të kanë hulumtuar. Ata profetizuan për hirin që ju është dhënë juve

11. dhe u përpoqën të gjenin kohën dhe rrethanat që Shpirti i Krishtit brenda tyre u paralajmëronte për vuajtjet e Krishtit dhe për lavdinë që do të vinte më pas.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Pjetrit 1