Dhjata e Re

1 Korintasve 9:14-27 Së Bashku (ALNT)

14. Kështu edhe Zoti ka urdhëruar që ata që predikojnë ungjillin, të jetojnë nga predikimi i ungjillit.

15. Por unë nuk kam përdorur asnjë nga këto të drejta. Këto nuk po jua shkruaj që të veproni kështu edhe me mua. Më mirë të vdes sesa të ma heqë ndokush këtë gjë për të cilën mburrem.

16. Nuk mburrem që predikoj ungjillin, sepse këtë e kam për detyrë. Mjerë unë po nuk e predikova!

17. Po ta kisha bërë me dëshirën time, do të merrja shpërblim, por përderisa e bëj pa dëshirën time, atëherë vetëm bëj detyrën që më ka ngarkuar Perëndia.

18. Cili është shpërblimi im atëherë? Të predikoj ungjillin falas, pa i shpërdoruar të drejtat që më jep predikimi i tij.

19. Megjithëse jam i lirë nga të gjithë, u bëra shërbëtor i të gjithëve, që të fitoj sa më shumë njerëz në besim.

20. Mes judenjve u bëra jude, që t’i fitoja judenjtë. Mes atyre që ishin nën ligjin e Moisiut u bëra si njeri nën ligjin e Moisiut, pavarësisht se nuk jam, që të fitoja ata që ishin nën këtë ligj.

21. Mes atyre që nuk e njihnin ligjin e Moisiut u bëra si njeri pa ligjin e Moisiut, edhe pse nuk jam pa ligjin e Perëndisë, por jam me ligjin e Krishtit, që të fitoja ata që ishin pa ligjin e Moisiut.

22. Mes të dobtëve në besim u bëra i dobët, që të fitoja të dobëtit. U bëra gjithçka për të gjithë, që të shpëtoja disa prej tyre.

23. Të gjitha këto i bëj për ungjillin, që të kem pjesë në të.

24. A nuk e dini se nga të gjithë ata që vrapojnë në arenë, vetëm njëri e fiton çmimin? Vraponi, pra, dhe ju që të fitoni çmimin.

25. Të gjithë ata që marrin pjesë në vrapim i nënshtrohen një disipline të rreptë, ata për të fituar një kurorë që prishet, ndërsa ne atë që nuk prishet.

26. Kështu vrapoj dhe unë tani, por jo pa synim të qartë, kështu luftoj me grushta, por jo sikur rrah erën.

27. E mundoj trupin dhe e nënshtroj, që të mos përjashtohem vetë, pasi t’u kem predikuar të tjerëve.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 9