Dhjata e Re

1 Korintasve 7:3-14 Së Bashku (ALNT)

3. Burri le të përmbushë detyrimin e tij martesor ndaj gruas dhe po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.

4. Gruaja nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron burri i saj. Po ashtu edhe burri nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron gruaja e tij.

5. Mos iu privoni njëri-tjetrit, përveçse kur keni vendosur që për pak kohë t’i përkushtoheni lutjes. Pastaj bashkohuni përsëri, që për shkak të mospërmbajtjes suaj të mos ju tundojë Satani.

6. Këtë nuk ua them si urdhër, por si diçka që është e lejueshme.

7. Unë do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë, por secili ka dhuntinë e vet nga Perëndia, njëri kështu e tjetri ashtu.

8. Të pamartuarve dhe vejushave u them se është mirë të qëndrojnë si unë.

9. Por, nëse nuk përmbahen dot, le të martohen, sepse është më mirë të martohen se të digjen nga dëshirat.

10. Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri.

11. Nëse ndahet, le të qëndrojë e pamartuar ose të pajtohet me burrin. Dhe burri të mos e lërë gruan.

12. Ndërsa të tjerëve u them unë, jo Zoti, se nëse një vëlla besimtar ka për grua një jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë me të, të mos e lërë.

13. Dhe nëse një grua ka për burrë një jobesimtar dhe ai pranon të jetojë me të, të mos e lërë burrin.

14. Sepse burri jobesimtar do të shenjtërohet nga gruaja dhe gruaja jobesimtare do të shenjtërohet nga burri besimtar. Përndryshe fëmijët tuaj do të ishin të papastër, por tani janë të shenjtë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 7