Dhjata e Re

1 Korintasve 7:25-36 Së Bashku (ALNT)

25. Për virgjëreshat nuk kam ndonjë urdhër nga Zoti, por po shpreh mendimin tim si njeri që, nga mëshira e Zotit, jam i besueshëm.

26. Mendoj se për shkak të vështirësive të tanishme mirë është që njeriu të qëndrojë ashtu siç është.

27. Je i martuar? Mos kërko të ndahesh! Je i pamartuar? Mos kërko grua!

28. Nëse martohesh, nuk mëkaton. Edhe një virgjëreshë nëse martohet, nuk mëkaton. Por ata që martohen hyjnë në mundime dhe unë dua t’ju kursej nga mundimet.

29. Këtë e them, o vëllezër, sepse koha që mbetet është aq e shkurtër, saqë edhe ata që kanë gra, duhet të jetojnë si të mos kishin;

30. ata që qajnë, si të mos qanin; ata që gëzohen, si të mos gëzoheshin; ata që blejnë, si të mos kishin asgjë;

31. dhe ata që i gëzojnë të mirat e kësaj bote, si të mos i gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon.

32. Dua që të mos keni kokëçarje. I pamartuari shqetësohet për gjërat e Zotit dhe kërkon si t’i pëlqejë Zotit,

33. ndërsa i martuari shqetësohet për gjërat e botës dhe kërkon si t’i pëlqejë gruas

34. dhe është i ndarë më dysh. Po ashtu, si gruaja e pamartuar, edhe virgjëresha shqetësohen për gjërat e Zotit, që të jenë të shenjta në trup e në shpirt, ndërsa e martuara shqetësohet për gjërat e botës dhe kërkon si t’i pëlqejë burrit.

35. Edhe këto gjëra po jua them për të mirën tuaj dhe jo për t’ju vënë lakun në fyt, por që të jetoni sa më hijshëm dhe sa më të përkushtuar ndaj Zotit pa shqetësime.

36. Por, nëse dikush shikon se do të sillej në mënyrë të pahijshme ndaj të fejuarës së tij, sepse digjet nga dëshira dhe mendon se duhet të martohet, le të bëjë si të dojë, le të martohet, nuk mëkaton.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 7