Dhjata e Re

1 Korintasve 7:20-31 Së Bashku (ALNT)

20. Secili të mbetet siç ishte kur e thirri Perëndia.

21. Ishe skllav kur u thirre nga Perëndia? Mos u shqetëso për këtë, por nëse të jepet mundësia të fitosh lirinë, atëherë më mirë shfrytëzoje.

22. Ai që u thirr nga Zoti kur ishte skllav, mori lirinë prej tij. Po ashtu edhe ai që u thirr kur ishte i lirë, është skllav i Krishtit.

23. Perëndia ju bleu me një çmim. Mos u bëni skllevër të njerëzve!

24. Vëllezër, secili le të mbetet para Perëndisë ashtu siç ishte kur u thirr prej tij.

25. Për virgjëreshat nuk kam ndonjë urdhër nga Zoti, por po shpreh mendimin tim si njeri që, nga mëshira e Zotit, jam i besueshëm.

26. Mendoj se për shkak të vështirësive të tanishme mirë është që njeriu të qëndrojë ashtu siç është.

27. Je i martuar? Mos kërko të ndahesh! Je i pamartuar? Mos kërko grua!

28. Nëse martohesh, nuk mëkaton. Edhe një virgjëreshë nëse martohet, nuk mëkaton. Por ata që martohen hyjnë në mundime dhe unë dua t’ju kursej nga mundimet.

29. Këtë e them, o vëllezër, sepse koha që mbetet është aq e shkurtër, saqë edhe ata që kanë gra, duhet të jetojnë si të mos kishin;

30. ata që qajnë, si të mos qanin; ata që gëzohen, si të mos gëzoheshin; ata që blejnë, si të mos kishin asgjë;

31. dhe ata që i gëzojnë të mirat e kësaj bote, si të mos i gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 7