Dhjata e Re

1 Korintasve 7:13-30 Së Bashku (ALNT)

13. Dhe nëse një grua ka për burrë një jobesimtar dhe ai pranon të jetojë me të, të mos e lërë burrin.

14. Sepse burri jobesimtar do të shenjtërohet nga gruaja dhe gruaja jobesimtare do të shenjtërohet nga burri besimtar. Përndryshe fëmijët tuaj do të ishin të papastër, por tani janë të shenjtë.

15. Nëse jobesimtari dëshiron të ndahet, le të ndahet. Besimtari ose besimtarja nuk janë më të lidhur nga këto gjëra, sepse Perëndia ju ka thirrur në paqe.

16. Nga e di ti, o grua? Ndoshta do ta shpëtosh burrin. Nga e di ti, o burrë? Ndoshta do ta shpëtosh gruan.

17. Sa për të tjerat, secili të jetojë ashtu siç i ka dhënë Zoti dhe ashtu siç ka qenë kur e thirri Perëndia. Kështu urdhëroj për të gjitha kishat.

18. Nëse dikush u thirr kur ishte i rrethprerë, të mos mundohet ta ndreqë rrethprerjen. Nëse dikush u thirr kur ishte i parrethprerë, të mos rrethpritet.

19. Rrethprerja dhe parrethprerja nuk janë asgjë, por ajo që ka rëndësi është zbatimi i urdhërimit të Perëndisë.

20. Secili të mbetet siç ishte kur e thirri Perëndia.

21. Ishe skllav kur u thirre nga Perëndia? Mos u shqetëso për këtë, por nëse të jepet mundësia të fitosh lirinë, atëherë më mirë shfrytëzoje.

22. Ai që u thirr nga Zoti kur ishte skllav, mori lirinë prej tij. Po ashtu edhe ai që u thirr kur ishte i lirë, është skllav i Krishtit.

23. Perëndia ju bleu me një çmim. Mos u bëni skllevër të njerëzve!

24. Vëllezër, secili le të mbetet para Perëndisë ashtu siç ishte kur u thirr prej tij.

25. Për virgjëreshat nuk kam ndonjë urdhër nga Zoti, por po shpreh mendimin tim si njeri që, nga mëshira e Zotit, jam i besueshëm.

26. Mendoj se për shkak të vështirësive të tanishme mirë është që njeriu të qëndrojë ashtu siç është.

27. Je i martuar? Mos kërko të ndahesh! Je i pamartuar? Mos kërko grua!

28. Nëse martohesh, nuk mëkaton. Edhe një virgjëreshë nëse martohet, nuk mëkaton. Por ata që martohen hyjnë në mundime dhe unë dua t’ju kursej nga mundimet.

29. Këtë e them, o vëllezër, sepse koha që mbetet është aq e shkurtër, saqë edhe ata që kanë gra, duhet të jetojnë si të mos kishin;

30. ata që qajnë, si të mos qanin; ata që gëzohen, si të mos gëzoheshin; ata që blejnë, si të mos kishin asgjë;

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 7