Dhjata e Re

1 Korintasve 7:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Sa për ato që më shkruat, mirë është që njeriu të mos prekë grua.

2. Po për të mos rënë në kurvëri, çdo burrë le të ketë gruan e vet dhe çdo grua të ketë burrin e vet.

3. Burri le të përmbushë detyrimin e tij martesor ndaj gruas dhe po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.

4. Gruaja nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron burri i saj. Po ashtu edhe burri nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron gruaja e tij.

5. Mos iu privoni njëri-tjetrit, përveçse kur keni vendosur që për pak kohë t’i përkushtoheni lutjes. Pastaj bashkohuni përsëri, që për shkak të mospërmbajtjes suaj të mos ju tundojë Satani.

6. Këtë nuk ua them si urdhër, por si diçka që është e lejueshme.

7. Unë do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë, por secili ka dhuntinë e vet nga Perëndia, njëri kështu e tjetri ashtu.

8. Të pamartuarve dhe vejushave u them se është mirë të qëndrojnë si unë.

9. Por, nëse nuk përmbahen dot, le të martohen, sepse është më mirë të martohen se të digjen nga dëshirat.

10. Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri.

11. Nëse ndahet, le të qëndrojë e pamartuar ose të pajtohet me burrin. Dhe burri të mos e lërë gruan.

12. Ndërsa të tjerëve u them unë, jo Zoti, se nëse një vëlla besimtar ka për grua një jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë me të, të mos e lërë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 7