Dhjata e Re

1 Korintasve 3:9-23 Së Bashku (ALNT)

9. Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë, ndërsa ju jeni ara dhe ndërtesa e tij.

10. Unë, sipas hirit që më dha Perëndia si arkitekt i ditur, vura themelin, por tjetërkush po ndërton mbi të. Secili të ketë kujdes sesi ndërton.

11. Askush nuk mund të vendosë një themel tjetër përveç këtij që kemi dhe që është Jezu Krishti.

12. Disa ndërtojnë mbi këtë themel me ar, argjend apo gurë të çmuar dhe disa të tjerë ndërtojnë me dru, sanë apo kashtë,

13. por vepra e secilit prej tyre do të dalë në dritë dhe vlerën e saj do ta tregojë dita e gjykimit. Ajo ditë do të vijë me zjarr dhe me këtë zjarr do të provohet vepra e kujtdo.

14. Nëse vepra që ndërtoi dikush i qëndron zjarrit, ai do të marrë shpërblimin.

15. Nëse vepra e dikujt digjet, ai do ta humbasë shpërblimin, por vetë do të shpëtojë si një njeri që kalon përmes zjarrit.

16. A nuk e dini se jeni tempull i Perëndisë dhe se Shpirti i Perëndisë banon në ju?

17. Nëse dikush rrënon tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta rrënojë atë, sepse tempulli i Perëndisë është i shenjtë dhe ky tempull jeni ju.

18. Mos mashtroni veten! Nëse ndonjë nga ju pandeh se është i urtë në këtë jetë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë.

19. Sepse urtia e kësaj bote është marrëzi para Perëndisë, siç thotë Shkrimi i shenjtë: Ai i zë të urtët në dinakërinë e tyre.

20. Dhe Zoti i njeh mendimet e të urtëve dhe e di se janë të kota.

21. Prandaj, asnjë të mos mburret me njerëzit, sepse gjithçka është juaja:

22. Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja dhe e ardhmja. Gjithçka është juaja,

23. ndërsa ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 3