Dhjata e Re

1 Korintasve 3:2-11 Së Bashku (ALNT)

2. Ju ushqeva me qumësht dhe jo me ushqim të fortë, sepse nuk mund ta përtypnit. Por edhe tani nuk mundni,

3. sepse jeni ende njerëz të kësaj bote. Nëse keni smirë dhe grindje mes jush, a nuk tregoni se jeni të kësaj bote dhe jetoni si të gjithë njerëzit?

4. Kur njëri thotë: «Unë jam i Palit» dhe tjetri: «Unë jam i Apolit», a nuk jeni si të gjithë njerëzit e tjerë?

5. Kush është Apoli dhe kush është Pali? Janë vetëm shërbëtorë, nëpërmjet të cilëve besuat dhe që veprojnë, secili sipas fuqisë që i dha Zoti.

6. Unë mbolla farën, Apoli e ujiti, por Perëndia e rriti.

7. Kështu, nuk kanë rëndësi as ai që mbjell e as ai që ujit, por Perëndia që rrit.

8. Ai që mbjell dhe ai që ujit, janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin sipas mundit.

9. Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë, ndërsa ju jeni ara dhe ndërtesa e tij.

10. Unë, sipas hirit që më dha Perëndia si arkitekt i ditur, vura themelin, por tjetërkush po ndërton mbi të. Secili të ketë kujdes sesi ndërton.

11. Askush nuk mund të vendosë një themel tjetër përveç këtij që kemi dhe që është Jezu Krishti.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 3