Dhjata e Re

1 Korintasve 16:6-19 Së Bashku (ALNT)

6. Ka mundësi të qëndroj te ju, ose edhe të kaloj dimrin, që të më ndihmoni për të shkuar atje ku duhet të shkoj.

7. Nuk dua t’ju shoh kalimthi, por shpresoj të rri ca kohë me ju, në e lejoftë Zoti.

8. Në Efes do të qëndroj deri për Rrëshajët,

9. sepse m’u dha një mundësi e madhe për të vepruar, megjithëse kundështarët janë të shumtë.

10. Po të vijë Timoteu, kujdesuni që të rrijë te ju pa frikë, sepse edhe ai bën veprën e Zotit sikurse dhe unë.

11. Mos ta përçmojë askush, por ndihmojeni të niset prej jush në paqe, që të vijë tek unë, sepse bashkë me vëllezërit besimtarë e presim të vijë.

12. Lidhur me vëlla Apolin, iu luta shumë që të vijë te ju bashkë me vëllezërit besimtarë, por nuk donte kurrsesi të vinte tani, kështu që do të vijë kur të mundet.

13. Rrini zgjuar, qëndroni të fortë në besim, bëhuni burra, jini të fortë!

14. Bëni gjithçka me dashuri!

15. Ju e njihni shtëpinë e Stefanait dhe e dini se është i pari që besoi në Akai dhe se iu kushtua shërbesës për besimtarët e krishterë. Ju lutem, o vëllezër,

16. t’u bindeni njerëzve të tillë dhe të gjithë atyre që bashkëpunojnë dhe që mundohen.

17. Jam gëzuar shumë për ardhjen e Stefanait, Fortunatit dhe Akaikut, sepse ata plotësuan mungesën tuaj.

18. Ata qetësuan shpirtin tim dhe tuajin, prandaj nderojini të tillë njerëz!

19. Ju përshëndesin kishat e Azisë.Ju përshëndesin shumë, në emër të Zotit, Akuili dhe Priska, bashkë me kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 16