Dhjata e Re

1 Korintasve 15:8-25 Së Bashku (ALNT)

8. Në fund, m’u shfaq edhe mua, dështakut.

9. Unë jam më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam pëndjekur kishën e Perëndisë,

10. por me hirin e Perëndisë jam ai që jam, dhe hiri i tij për mua nuk ka shkuar kot. Unë jam munduar më shumë se të gjithë ata, jo unë vetë, por hiri i Perëndisë bashkë me mua.

11. Edhe unë, edhe ata, këtë kemi predikuar dhe këtë keni besuar edhe ju.

12. Nëse predikojmë se Krishti u ngjall prej të vdekurve, si mund të thonë disa prej jush se të vdekurit nuk do të ngjallen?

13. Nëse të vdekurit nuk do të ngjallen, atëherë nuk është ngjallur as Krishti.

14. Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë edhe predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj është i kotë.

15. Kështu, qenkemi dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmojmë kundër tij dhe themi se ka ngjallur Krishtin, të cilin nuk e paska ngjallur, po të jetë se të vdekurit nuk u ngjallkan.

16. Nëse nuk ngjallen të vdekurit, atëherë nuk është ngjallur as Krishti.

17. Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë besimi juaj është i kotë dhe ju jeni ende në mëkatet tuaja.

18. Atëherë kanë humbur edhe ata që kanë vdekur e kanë besuar në Krishtin.

19. Nëse shpresojmë në Krishtin vetëm për këtë jetë, atëherë jemi njerëzit më të mjerë.

20. Por tani Krishti është ngjallur prej të vdekurve dhe u bë risia e ngjalljes së të vdekurve.

21. Ashtu siç erdhi vdekja nëpërmjet një njeriu, ashtu erdhi edhe ngjallja e të vdekurve nëpërmjet një njeriu.

22. Ashtu siç vdesin të gjithë njerëzit për shkak të lidhjes me Adamin, ashtu do të marrin jetë të gjithë për shkak të lidhjes me Krishtin.

23. Secili sipas radhës: në fillim Krishti dhe pastaj, kur ai të kthehet, të gjithë ata që janë të tijët.

24. Pastaj do të vijë fundi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit, pasi të ketë shkatërruar çdo sundim, pushtet dhe fuqi shpirtërore.

25. Ai duhet të mbretërojë derisa t’i nënshtrojë nën këmbë të gjithë armiqtë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 15