Dhjata e Re

1 Korintasve 15:46-57 Së Bashku (ALNT)

46. Nuk ishte njeriu shpirtëror i pari, por ai tokësor. Njeriu shpirtëror erdhi më pas.

47. Njeriu i parë u bë nga dheu dhe është lëndor, ndërsa njeriu i dytë erdhi nga qielli.

48. Ashtu siç është njeriu i bërë nga dheu, ashtu janë edhe lëndorët, dhe, ashtu siç është njeriu që erdhi nga qielli, ashtu janë edhe qiellorët.

49. Ashtu siç jemi në përngjasim me njeriun lëndor, do të jemi edhe në përngjasim me njeriun qiellor.

50. Ja se ç’dua të them, o vëllezër: njerëzit prej mishi dhe prej gjaku nuk mund ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë e as kalbja nuk mund të trashëgojë moskalbjen.

51. Po ju them një të fshehtë: nuk do të vdesim të gjithë, por të gjithë do të shndërrohemi.

52. Në çast, sa hap e mbyll sytë, kur të bjerë trumbeta e fundit, të vdekurit do të ngjallen në moskalbje, ndërsa ne do të shndërrohemi.

53. Sepse ky trup i kalbshëm duhet të veshë moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm duhet të veshë pavdekësinë.

54. Kur ky trup i kalbshëm të ketë veshur moskalbjen dhe ky trup i vdekshëm të ketë veshur pavdekësinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: Vdekja u përpi nga fitorja.

55. O vdekje, ku është fitorja jote? O vdekje, ku është thumbi yt?

56. Thumbi i vdekjes është mëkati, ndërsa fuqia e mëkatit është ligji i Moisiut.

57. Por le të falënderojmë Perëndinë që na dha fitoren nëpërmjet Zotit tonë, Jezu Krishtit.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 15