Dhjata e Re

1 Korintasve 15:35-46 Së Bashku (ALNT)

35. Dikush do të thotë: «Si do të ngjallen të vdekurit? Çfarë trupi do të kenë?».

36. O i marrë! Fara që mbjell në arë, nuk merr jetë po nuk vdiq më parë.

37. Ti nuk mbjell trupin që do të ketë bima në të ardhmen, por një kokërr të zhveshur gruri ose të ndonjë fare tjetër.

38. Pastaj trupin ia jep Perëndia, ashtu siç dëshiron, dhe çdo farë ka trupin e vet.

39. Jo çdo trup është i njëjtë me një trup tjetër. Tjetër është trupi i njeriut, tjetër trupi i kafshëve, tjetër trupi i shpendëve dhe tjetër ai i peshqve.

40. Ka trupa qiellorë, ashtu siç ka edhe trupa tokësorë. Tjetër është shkëlqimi i trupave qiellorë dhe tjetër shkëlqimi i trupave tokësorë.

41. Tjetër është shkëlqimi i diellit, tjetër shkëlqimi i hënës dhe tjetër shkëlqimi i yjeve, sepse ylli nga ylli ndryshon në shkëlqim.

42. Kështu ndodh edhe me ngjalljen e të vdekurve: trupi mbillet në kalbje dhe ngjallet në moskalbje,

43. mbillet në çnderim dhe ngjallet në lavdi, mbillet në dobësi dhe ngjallet në fuqi,

44. mbillet trup tokësor dhe ngjallet trup shpirtëror. Ashtu siç ka trup tokësor, ka edhe trup shpirtëror.

45. Prandaj Shkrimi i shenjtë thotë: Njeriu i parë, Adami, u bë qenie tokësore, ndërsa Adami i fundit, Krishti, u bë Shpirti që jep jetë.

46. Nuk ishte njeriu shpirtëror i pari, por ai tokësor. Njeriu shpirtëror erdhi më pas.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 15