Dhjata e Re

1 Korintasve 15:17-28 Së Bashku (ALNT)

17. Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë besimi juaj është i kotë dhe ju jeni ende në mëkatet tuaja.

18. Atëherë kanë humbur edhe ata që kanë vdekur e kanë besuar në Krishtin.

19. Nëse shpresojmë në Krishtin vetëm për këtë jetë, atëherë jemi njerëzit më të mjerë.

20. Por tani Krishti është ngjallur prej të vdekurve dhe u bë risia e ngjalljes së të vdekurve.

21. Ashtu siç erdhi vdekja nëpërmjet një njeriu, ashtu erdhi edhe ngjallja e të vdekurve nëpërmjet një njeriu.

22. Ashtu siç vdesin të gjithë njerëzit për shkak të lidhjes me Adamin, ashtu do të marrin jetë të gjithë për shkak të lidhjes me Krishtin.

23. Secili sipas radhës: në fillim Krishti dhe pastaj, kur ai të kthehet, të gjithë ata që janë të tijët.

24. Pastaj do të vijë fundi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit, pasi të ketë shkatërruar çdo sundim, pushtet dhe fuqi shpirtërore.

25. Ai duhet të mbretërojë derisa t’i nënshtrojë nën këmbë të gjithë armiqtë.

26. Armiku i fundit që do të shkatërrohet do të jetë vdekja.

27. Shkrimi i shenjtë thotë: Gjithçka e nënshtroi nën këmbët e tij. Kur Shkrimi i shenjtë thotë: «iu nënshtrua gjithçka», do të thotë gjithçka, përveç Perëndisë që bëri që Krishtit t’i nënshtrohet gjithçka.

28. Kur gjithçka t’i jetë nënshtruar Krishtit, atëherë edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Perëndisë që bëri t’i nënshtrohet atij gjithçka, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 15