Dhjata e Re

1 Korintasve 14:21-30 Së Bashku (ALNT)

21. Në ligjin e Moisiut është shkruar: «Këtij populli do t’i flas me njerëz që flasin gjuhë të tjera dhe me gojën e të huajve, por as kështu nuk do të më dëgjojnë.»,thotë Zoti.

22. Prandaj gjuhët nuk janë shenjë për ata që besojnë, po për ata që nuk besojnë, ndërsa profecia nuk është për ata që nuk besojnë, po për ata që besojnë.

23. Nëse mblidhet kisha në një vend dhe të gjithë flasin gjuhë të panjohura dhe po të hyjnë njerëz që nuk dinë ose që nuk besojnë, a nuk do të thonë se jeni marrosur?

24. Por nëse të gjithë do të profetizojnë dhe aty hyn ndonjë që nuk beson apo nuk di, atëherë ai do të ndihet i qortuar dhe i dënuar nga ato që dëgjon.

25. Të fshehtat e zemrës së tij do të shfaqen dhe duke rënë me fytyrë përdhe do të adhurojë Perëndinë dhe do të thotë: «Perëndia është me të vërtetë mes jush».

26. Çfarë duhet bërë atëherë, o vëllezër? Kur të mblidheni së bashku, dikush mund të këndojë një himn, dikush mund të japë një mësim, dikush mund të ketë një zbulesë, dikush një gjuhë të panjohur dhe dikush një shpjegim të gjuhës. Të gjitha le të bëhen për rritjen shpirtërore të kishës.

27. Nëse dikush dëshiron të flasë në gjuhë të panjohur, le të flasin dy ose e shumta tre veta, njëri pas tjetrit dhe njëri të shpjegojë.

28. Po të mos ketë ndonjë që mund të shpjegojë, atëherë ai që flet në gjuhë të panjohur të heshtë në kishë dhe të flasë me veten dhe me Perëndinë.

29. Nga profetët të flasin dy ose tre, ndërsa të tjerët të gjykojnë ato që thuhen.

30. Por nëse ndonjëri nga ata që rrinë ulur ka ndonjë zbulesë, atëherë ai që është duke folur, le të heshtë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 14