Dhjata e Re

1 Korintasve 12:1-16 Së Bashku (ALNT)

1. Vëllezër, lidhur me dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë, nuk dua të jeni të paditur.

2. Ju e dini se, kur ishit paganë, të mashtruar, tërhiqeshit prej idhujve të pagojë.

3. Prandaj dua ta dini se asnjë nuk mund të flasë i udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë e të thotë: «Mallkuar qoftë Jezui!» dhe asnjë nuk mund të thotë: «Zoti Jezu» nëse nuk është i udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë.

4. Ka dhunti të ndryshme, por është i njëjti Shpirt i Shenjtë.

5. Ka edhe shërbesa të ndryshme, por është i njëjti Zot.

6. Ka edhe larmi veprash, por është i njëjti Perëndi që bën gjithçka në të gjithë.

7. Secilit i shfaqet Shpirti i Shenjtë për të mirën e të gjithëve.

8. Dikujt Shpirti i Shenjtë i jep dhuntinë për të folur me urti, një tjetri i njëjti Shpirt i Shenjtë i jep dhuntinë për të folur me dituri.

9. Dikujt i njëjti Shpirt i jep besim, ndërsa një tjetri dhuntinë për të shëruar të tjerët,

10. dikujt fuqinë për të bërë mrekulli, një tjetri për të profetizuar, një tjetri për të dalluar shpirtrat, një tjetri i jep larmi gjuhësh, ndërsa një tjetri shpjegimin e gjuhëve.

11. Të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Shpirt i Shenjtë, duke i dhënë secilit dhunti të veçantë, sipas vullnetit të tij.

12. Ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët e trupit, megjithëse janë shumë, përbëjnë një trup të vetëm, ashtu është edhe Krishti.

13. Edhe ne, qofshim judenj apo paganë, skllevër apo të lirë, u pagëzuam me të njëjtin Shpirt të Shenjtë për t’u bërë një trup i vetëm dhe kemi pirë të gjithë nga i njëjti Shpirt i Shenjtë.

14. Trupi nuk ka një gjymtyrë, por shumë.

15. Nëse këmba do të thoshte: «Ngaqë nuk jam dorë, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit?

16. E nëse veshi do të thoshte: «Ngaqë nuk jam sy, nuk i përkas trupit», mos për këtë nuk i përket trupit?

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 12