Dhjata e Re

1 Korintasve 12:1-11 Së Bashku (ALNT)

1. Vëllezër, lidhur me dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë, nuk dua të jeni të paditur.

2. Ju e dini se, kur ishit paganë, të mashtruar, tërhiqeshit prej idhujve të pagojë.

3. Prandaj dua ta dini se asnjë nuk mund të flasë i udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë e të thotë: «Mallkuar qoftë Jezui!» dhe asnjë nuk mund të thotë: «Zoti Jezu» nëse nuk është i udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë.

4. Ka dhunti të ndryshme, por është i njëjti Shpirt i Shenjtë.

5. Ka edhe shërbesa të ndryshme, por është i njëjti Zot.

6. Ka edhe larmi veprash, por është i njëjti Perëndi që bën gjithçka në të gjithë.

7. Secilit i shfaqet Shpirti i Shenjtë për të mirën e të gjithëve.

8. Dikujt Shpirti i Shenjtë i jep dhuntinë për të folur me urti, një tjetri i njëjti Shpirt i Shenjtë i jep dhuntinë për të folur me dituri.

9. Dikujt i njëjti Shpirt i jep besim, ndërsa një tjetri dhuntinë për të shëruar të tjerët,

10. dikujt fuqinë për të bërë mrekulli, një tjetri për të profetizuar, një tjetri për të dalluar shpirtrat, një tjetri i jep larmi gjuhësh, ndërsa një tjetri shpjegimin e gjuhëve.

11. Të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Shpirt i Shenjtë, duke i dhënë secilit dhunti të veçantë, sipas vullnetit të tij.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 12