Dhjata e Re

1 Korintasve 10:3-16 Së Bashku (ALNT)

3. Të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror

4. dhe pinë të njëjtën pije shpirtërore, sepse pinin nga shkëmbi shpirtëror që i shoqëronte. Ky shkëmb ishte Krishti.

5. Por shumica e tyre nuk gjetën pëlqimin e Perëndisë dhe ranë të vdekur në shkretëtirë.

6. Këto ngjarje u bënë shembull për ne, që të mos dëshirojmë edhe ne gjëra të këqija, siç dëshiruan ata.

7. Mos u bëni idhujtarë si disa prej tyre, sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe pastaj u ngrit për të luajtur.

8. As të mos kurvërojmë si disa prej tyre, që ranë të vdekur njëzet e tre mijë veta në një ditë.

9. As Krishtin të mos e vëmë në provë, siç bënë disa prej tyre, që vdiqën nga gjarpërinjtë.

10. As mos murmurisni, siç bënë disa prej tyre, që u vranë nga engjëlli shkatërrues.

11. Këto gjëra u ndodhën atyre si shembull dhe janë shkruar që të bëhen mësim për ne që jetojmë në fund të kohëve.

12. Kush mendon se qëndron i sigurt, kujdes se mos rrëzohet!

13. Sprovat që kishit deri tani kanë qenë brenda mundësive njerëzore. Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë të viheni në provë përtej mundësive tuaja, por bashkë me sprovat do t’ju japë edhe rrugëdaljen, që të mund t’i përballoni.

14. Prandaj, fort të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria!

15. Po flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykojini vetë këto që po them.

16. Kur pijmë nga kupa për të cilën bekojmë Perëndinë, a nuk marrim pjesë në gjakun e Krishtit? Kur hamë nga buka që thyejmë, a nuk marrim pjesë në trupin e Krishtit?

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 10