Dhjata e Re

1 Korintasve 10:15-33 Së Bashku (ALNT)

15. Po flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykojini vetë këto që po them.

16. Kur pijmë nga kupa për të cilën bekojmë Perëndinë, a nuk marrim pjesë në gjakun e Krishtit? Kur hamë nga buka që thyejmë, a nuk marrim pjesë në trupin e Krishtit?

17. Ashtu si buka është një e vetme, ashtu edhe ne, edhe pse jemi shumë, bëhemi një trup i vetëm, sepse marrim pjesë në të vetmen bukë.

18. Shikoni popullin e Izraelit! A nuk marrin pjesë në altar ata që hanë flijimet që kushtohen mbi të?

19. A dua të them me këtë se mishi që u flijohet idhujve ka ndonjë vlerë, apo që idhujt janë ndonjë gjë?

20. Jo, por dua të them se ato ua flijojnë djajve e jo Perëndisë dhe unë nuk dua që të keni pjesë me djajtë.

21. Nuk mund të pini edhe nga kupa e Zotit edhe nga kupa e djajve; nuk mund të hani edhe nga tryeza e Zotit edhe nga tryeza e djajve.

22. Mos duam të nxisim xhelozinë e Zotit? Vallë, mos jemi më të fortë se ai?

23. Disa thonë: «Gjithçka më lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka më lejohet, por jo gjithçka ndihmon për t’u rritur në besim.

24. Askush të mos kërkojë të mirën e vet, por të mirën e tjetrit.

25. Hani çdo gjë që shitet në thertore, pa e shqyrtuar atë dhe pa e rënduar ndërgjegjen tuaj,

26. sepse toka dhe gjithçka që ndodhet në të janë të Zotit.

27. Nëse ndonjë jobesimtar ju fton në shtëpi dhe pranoni të shkoni, hani gjithçka që ju vënë përpara, pa e shqyrtuar atë dhe pa e rënduar ndërgjegjen tuaj.

28. Por nëse dikush ju thotë: «Ky është mish që u është flijuar idhujve», mos hani për shkak të atij që jua tha këtë dhe për shkak të ndërgjegjes,

29. jo për ndërgjegjen tuaj, po për ndërgjegjen e tjetrit. Por, pse të kufizohet liria ime nga ndërgjegjja e tjetrit?

30. Nëse unë falënderoj Perëndinë për atë që ha, përse të shahem për shkak të ushqimit për të cilin kam falënderuar Perëndinë?

31. Edhe kur hani, edhe kur pini, edhe kur bëni ndonjë gjë tjetër, bëjeni për lavdi të Perëndisë.

32. Por mos u bëni pengesë as për judenjtë, as për paganët e as për kishën e Perëndisë.

33. Bëni si unë që mundohem t’u pëlqej të gjithëve, pa kërkuar përfitimin tim, por dobinë e të gjithëve, që të shpëtohen.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 10