Dhjata e Re

1 Korintasve 1:19-31 Së Bashku (ALNT)

19. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Urtinë e të urtëve do ta shkatërroj, ndërsa mençurinë e të mençurve do ta hedh tej.

20. Ku është, pra, i urti? Ku është skribi? Ku është hulumtuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri Perëndia marrëzi urtinë e kësaj bote?

21. Meqenëse njerëzit nuk e njohën Perëndinë nëpërmjet urtisë, atëherë Perëndia, me urtinë e tij, parapëlqeu t’i shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit.

22. Judenjtë kërkojnë një mrekulli dhe grekët kërkojnë urti,

23. ndërsa ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, gjë që është fyese për judenjtë dhe marrëzi për grekët.

24. Po për ata që janë thirrur nga Perëndia, judenj apo paganë, Krishti është fuqia e Perëndisë dhe urtia e tij.

25. Marrëzia e Perëndisë është më e urtë se njerëzit dhe dobësia e tij është më e fortë se ata.

26. Vëllezër, shikoni kush jeni ju që u thirrët nga Perëndia! Ndër ju, nga ana njerëzore, nuk ka shumë të urtë, as shumë të fortë e as shumë fisnikë.

27. Por Perëndia zgjodhi të marrët sipas botës për të turpëruar të urtët, zgjodhi të dobëtit sipas botës për të turpëruar të fortët.

28. Ai zgjodhi gjërat jo të fisme dhe të përbuzura të botës, ato që nuk janë asgjë në sytë e saj, për të shkatërruar ato që sipas botës janë të rëndësishme.

29. Kështu, askush nuk mund të mburret para Perëndisë.

30. Por, ai bëri që ju të jeni të bashkuar me Jezu Krishtin, që u bë për ne urtia e Perëndisë. Krishti na bëri të drejtë, na shenjtëroi dhe na shpengoi,

31. ashtu siç thotë Shkrimi i shenjtë: Kush krenohet, le të krenohet për ato që ka bërë Zoti.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 1