Dhjata e Re

1 Korintasve 1:10-26 Së Bashku (ALNT)

10. Vëllezër, ju lutem në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, të jeni të gjithë në një mendje për atë që thoni dhe të mos keni përçarje mes jush, por të jeni të bashkuar në mendime dhe arsyetime.

11. Sepse, vëllezërit e mi, disa nga njerëzit e Kloesë më njoftuan se mes jush ka grindje.

12. Këtë e them sepse një prej jush thotë: «Unë jam i Palit», ndërsa tjetri thotë: «Unë jam i Apolit», ose «Unë jam i Kefës», ose «Unë jam i Krishtit».

13. Pse, i ndarë qenka Krishti? A mos u kryqëzua Pali për ju, apo mos u pagëzuat në emër të Palit?

14. Falënderoj Perëndinë, që, përveç Krispit dhe Gajit, nuk kam pagëzuar asnjë prej jush,

15. që të mos thotë askush se u pagëzua në emrin tim.

16. Po, kam pagëzuar edhe ata të shtëpisë së Stefanait, por nuk di të kem pagëzuar edhe ndonjë tjetër.

17. Krishti nuk më ka dërguar të pagëzoj, por të shpall ungjillin, dhe jo me dituri fjalësh, që të mos humbasë fuqia e kryqit të tij.

18. Predikimi i kryqit është marrëzi për ata që shkojnë në humbje, po për ne të shpëtuarit është fuqia e Perëndisë.

19. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Urtinë e të urtëve do ta shkatërroj, ndërsa mençurinë e të mençurve do ta hedh tej.

20. Ku është, pra, i urti? Ku është skribi? Ku është hulumtuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri Perëndia marrëzi urtinë e kësaj bote?

21. Meqenëse njerëzit nuk e njohën Perëndinë nëpërmjet urtisë, atëherë Perëndia, me urtinë e tij, parapëlqeu t’i shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit.

22. Judenjtë kërkojnë një mrekulli dhe grekët kërkojnë urti,

23. ndërsa ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, gjë që është fyese për judenjtë dhe marrëzi për grekët.

24. Po për ata që janë thirrur nga Perëndia, judenj apo paganë, Krishti është fuqia e Perëndisë dhe urtia e tij.

25. Marrëzia e Perëndisë është më e urtë se njerëzit dhe dobësia e tij është më e fortë se ata.

26. Vëllezër, shikoni kush jeni ju që u thirrët nga Perëndia! Ndër ju, nga ana njerëzore, nuk ka shumë të urtë, as shumë të fortë e as shumë fisnikë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 1